Reklame

Facebook

Tekstet dhe disa nga fotot e ketij blogu mbrohen nga legjislacioni mbi te drejtat e autorit.. Powered by Blogger.

Followers





Zemrat e mia sot do t'ju njoh me një mikeshë! Më premtoni që do silleni mirë dhe nuk do më vini në pozitë. 

- Kush është kjo? - vetëm përdorimi i përemrit ''kjo'' në vend të emrit, më paralajmëron se si gjithmonë një nënë nuk ka shanse të mëdha të bëjë figurë mjalti, nëse takon dikë me fëmijët me vete :)

- Është një mikeshë që e çmoj dhe vlerësoj shumë si shoqe dhe profesioniste! Donte t'ju njihte personalisht, me kërshëri dhe dëshirë, sepse ju njeh vetëm ndërmjet atyre pak ndodhive që shkruan në blog mami :)

- Mirë kjo PB (princesha e babit) se e kam mësuar unë të thojë sa vjeç është, po unë çfarë t'i them, si të sillem? - pyet MB (mreti i babit).

Mos bëni batuta mbi veshjen, moshën, flokët pamjen e jashtme se ti të fëlliq njëherë... po ç'faj kam unë që nuk i shkonin syzet shoqes tate oj mam... e shoh vëngër... kerkon falje direkt. Mos i ktheni kurrizin kur flisni, shiheni në sy, jepini dorën dhe thojini emrin, mos harroni emrin dhe ti thoni ''gezohem''. Kaq! :) u morem vesh? Ti PB (princesha babit) mos kërko llumin e kafes mamit, se është turp. - Jo fafe sesha babit, turp jo fafe! - premton kot e vogla dhe unë psherëtij, sepse e di që do kërkojë, po e po, por do më ulet dhe në prehër dhe do na gjuj me pakon e sheqerit ndërkohë që përpiqet ta hapë.... po mami mos ki merak, do sillemi mirë!

E nejse u takuam, tre herë i tha: si të quajnë, çuni as që e ngriti kokën dhe ktheu kurrizin me kokën drejtuar nga parku i makinave lodër, goca u inatos dhe i thoshte nja 20herë: jo jo 3vjeç, 2vjeç... për pak desh ja nxorri sytë mikeshës me dy gishtat e moshës. Asnjë pyetje nuk iu përgjigjën, nuk e di, nga turpi, apo si për inat të mamit, por një figurë megagalaktike kake, që s'e keni idenë. :) Gjatë gjithë bisedës sonë mezi arrija të ndiqja fillin e mendimit të mikes sime, sepse e kisha mendjen tek fëmijët e shkathët të botës, që edhe të duash nuk ua mbyll dot gojën, thonë duke të parë në sy ''gëzohem zotëri, gëzohem zonjushë'' dhe s'më hiqej mendja nga fjalët: hej dreq, vetëm emrin të paktën, por as kaq nuk e bënë, thua se u kërkova të ishin oratorë në presidium! Nuk di pse përfundoj gjithmonë tek shprehja ''mos vallë nuk kam ditur ti edukoj'' por jo herët e tjera kam dalë me shoqe, por nuk i kam paralajmëruar, u ka ardhur natyrshëm cdo veprim. Në doni një këshillë, të jeni të sigurtë, sa më shumë të kërkoni nga fëmijët tuaj një figurë mjalti, aq më tepër do t'ju dhurojnë një figurë kake, e vërtetuar shkencërisht :) janë fëmijë do thoni ju, të paparashikueshëm dihet mo, por nëse doni të pini një kafe me nëna të reja mos harroni, llumi i kafes do ju bjerë se s'bën në veshje. Kam dëgjuar se stili pizham është në modë sivjet, vishuni pizhamin po deshët të prezantoheni me familjen time. :) Në shkëmbim unë do këmbëngul ti edukoj lojtarët e mi të mirë, të shënojnë të paktën një gol, një herë në kaq kohë për portën tonë, sepse dihet një lojtar i mirë nuk gjykohet nga këto cikërrima... autogolat do jenë gjithmonë prezentë, sidomos në takime pune, por ju paralajmëroj, nëse doni të më keni mua për kafe duhet të merrni gjithë paketën. Llumin e kafes dhe sheqerin të bërë sherbet në flokë e keni ofertë nga shtëpia :) Kam besim se pas 20vjetësh një gol në favorin e mamit kanë për ta shënuar :)


0 comments: